Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të dielën se KFOR-i ka kërkuar “pak kohë” për t’i larguar barrikadat në rrugët në veri të vendit dhe se Qeveria e Kosovës po pret që kjo të ndodh.

Pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kryeministri Kurti bëri të ditur se po pret që KFOR-i të largojë barrikadat në rrugët e bllokuara në veri.

“Ne po presim. KFOR-i po kërkon pak kohë që shpejt ta kryejë këtë punë dhe ne po presim”, u shpreh Kurti të dielën, në një konferencë për media, transmeton REL.

Lëvizja e lirë është kufizuar në veri të Kosovës pasi janë ngritur barrikada dhe janë bllokuar disa rrugë nga serbët lokal pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet se “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.

Situata në veri ka qenë e tensionuar që nga fillimi i nëntorit, kur përfaqësues të komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në veri shkaku i vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës. Situata ishte qetësuar përkohësisht pas arritjes së një marrëveshje mes palëve kosovare dhe serbe në Bruksel.

Por, zgjedhjet ishin planifikuar më 18 dhjetor dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – kishte kundërshtuar mbajtjen e tyre. Të shtunën, presidentja Vjosa Osmani i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm.

Kurti tha se shtyrja e zgjedhjeve ishte për të mirën e komunitetit serb në veri në mënyrë që “ta krijojmë një hapësirë disamujore që të hiqet frika e të votohet lirshëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *