Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi të hënën se i ka kërkuar vendeve të BE-së që të jenë të gatshëm për të dërguar përforcime për misionin e EULEX-it.

“U kërkova shteteve anëtare të jenë të gatshëm të dërgojnë përforcime shtesë për misionin tonë të EULEX-it”, tha Borrell duke theksuar se shumë prej tyre janë pajtuar e janë shprehur të gatshëm për ta bërë këtë nëse është e nevojshme, transmeton VOA.

Në një konferencë me gazetarë pas takimit të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së ai tha se incidentet fundit janë me pasoja për qytetarët e Kosovës, Serbisë dhe gjithë rajonit.

“Që nga gushti, jemi në një rreth vicioz të konfrontimeve, provokimeve dhe reagimeve, që përshkallëzuan ditët e fundit, dhe kanë nxitur incidente serioze të sigurisë, përfshirë edhe një sulm ndaj misionit tonë, EULEX-it dhe ndaj policisë së Kosovës. Barrikadat që bllokojnë rrugët, njerëz të armatosur nëpër rrugë, nuk janë diçka që jemi të gatshëm ta pranojmë, nuk e pranojmë këtë nga partnerët tanë, që po aspirojnë një të ardhme evropiane. Kjo situatë duhet të përfundojë. Bllokadat duhet të largohen. Qetësia duhet të rivendoset”, tha Borrell, duke theksuar se blloku u ka bërë thirrje të dyja palëve për qetësi dhe përmbajtje nga veprimet e dhunshme e provokuese.

Borrell gjithashtu njoftoi se për shkak të situatës së rrezikshme në terren i ka kërkuar të dërguarit të posaçëm evropian Miroslav Lajçak të udhëtojë në Kosovë e Serbi, në përpjekje për të ulur tensionet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *