Në një fjalim në parlamentin gjerman, kancelari Olaf Scholz tha sot se është në interesin e Gjermanisë dhe Evropës që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Ai përshëndeti shtimin e angazhimit të BE-së me gjashtë vendet e rajonit, ndërsa vlerësoi vendimet për t’i dhënë Bosnjes dhe Hercegovinës statusin e kandidatit dhe futjen e Kroacisë në zonën e Shengenit.

Kancelari gjerman Olaf Scholz mirëpriti ringjalljen e bisedimeve për zgjerimin e Bashkimit Evropian me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë muajve të fundit dhe vendimin e kësaj jave për t’i dhënë Bosnje-Hervegovinës statusin e kandidatit.

Zoti Scholz i bëri këto komente në fjalimin e tij në parlament, para takimit të nivelit të lartë të bllokut me 27 anëtarë në Bruksel.

“Është në interesin gjerman dhe evropian që pjesa e mbetur e Ballkanit të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, tha zoti Scholz para ligjvënësve në Berlin.

Për momentin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në aspiratën e tyre për anëtarësim në familjen e madhe evropiane.

Kancelari gjerman vlerësoi gjithashtu vendimin për futjen e Kroacisë në zonën evropiane të udhëtimit pa kontrolle, e njohur si zona Shengen.

“Është poashtu në interesin tonë që nga viti 2023 Kroacia të jetë pjesë e zonës Schengen”, tha zoti Scholz.

Zoti Scholz tha se njësoj duhet të veprohet edhe me Bullgarinë dhe Rumaninë, përfshirja e të cilave në zonën Schengen u bllokua javën e kaluar nga Austria. / VOA /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *