Aplikimi i Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian është një hap i rëndësishëm, ka deklaruar Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Ajo theksoi se integrimi i Kosovës në BE do të varet edhe nga dialogu me Serbinë.
“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE është një hap i rëndësishëm. Është thelbësore të inkuadrohet i gjithë Ballkani Perëndimor në BE. Ritmi i integrimit të Kosovës në BE do të varet nga përkushtimi i saj për miratimin e reformave të nevojshme dhe përfundimin e suksesshëm të dialogut me Serbinë të udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dorëzoi të enjten aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.