Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ka pasur “plan ruso-serb” që të dielën, më 18 dhjetor, të digjej pika kufitare e Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.
Sipas Bislimit, nga të dhënat e institucioneve të sigurisë, del se “autori i vërtetë” i ngjarjeve në Jarinjë ishte presidenti rus, Vladimir Putin.
Ai tha se plani për djegien e pikës kufitare u parandalua nga institucionet e sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim “me partnerët perëndimorë, veçmas amerikanët”.
Në anën serbe të Jarinjës, më 18 dhjetor është mbajtur një protestë e thirrur nga grupet djathtiste serbe, në shenjë mbështetjeje ndaj barrikadave që disa serbë lokalë kanë ngritur në veri të Kosovës që nga 10 dhjetori.
“Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte”, shkroi Bislimi në Facebook.
Bislimi tha se intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës “është rritur ndjeshëm”. / REL /