Kosova i ka të konfirmuar votat për fazën e parë të pranimit në Këshillin e Evropës, ka deklaruar Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kreshnit Ahmeti.
Kosova ka aplikuar për pranim në Këshill të Evropës më 12 maj.
Sipas Ahmetit, pranimi në këtë organizatë është proces relativisht i gjatë dhe kompleks.
“Kemi ndërtuar strategji për multilateralen, të synojmë organizatat nga të cilat Kosova përfiton. Më 12 maj aplikuam në Këshill të Evropës. Ishim të vetëdijshëm për një proces që është relativisht i gjatë dhe kompleks. Kemi ndërtuar një momentum për vazhdimin e procedurës”, ka thënë Ahmeti për KOHA.
Ai ka shpjeguar procesin e votimit, derisa ka deklaruar se për fazën e parë Kosova i ka të konfirmuara votat.
“Pranimi i ka tri votime, fillimisht niveli i ambasadorëve në Strasburg votojnë, pastaj në Asamblenë Parlamentare duhet të përgatiten tri raporte dhe raportet të bashkohen për t’u votuar si një në Komitetin e Ministrave, ku është faza finale. Jemi në fazën e parë. Votat i kemi. Janë konfirmuar në nivele të ndryshme, sikurse nga diplomacia dhe niveli politik i diplomacisë”, ka thënë Ahmeti.
Zëvendësministri i jashtëm kosovar ka thënë se ndikimi rus është ende i pranishëm në Këshillin e Evropës, pavarësisht se Rusia u përjashtua nga kjo organizatë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.