Britania e Madhe ka dëbuar 42 shqiptarë të cilët të enjten kanë mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Siç transmeton ABC News, në mesin e të dëbuarve janë 32 persona të cilët ishin dënuar me burg për vepra të ndryshme penale, nga trafiku i drogës deri te hyrja e paligjshme në vend.
Të tjerët ishin azilkërkues dhe që kishin shkelur afatin e vizës dhe që kishin mbërritur më parë në Britani ilegalisht.
Ata u shoqëruan nga oficerët britanikë të Emigracionit dhe në ulje u pritën nga policia shqiptare. Mendohet se ky është fluturimi i katërt nga Britania në pak më shumë se një muaj që deporton shqiptarët.
Ditë më parë, Kryeministri shqiptar Edi Rama publikoi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe ku thuhej se do të ngrenë një grup të përbashkët pune posaçërisht për qështjen e migrimit të paligjshëm.
Në marrëveshjen e publikuar thuhej mes të tjerash se “Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar do të forcojnë më tej bashkëpunimin e shkëlqyer në veprimtaritë ligjzbatuese, me objektivin për të ndaluar dhe goditur migracionin e paligjshëm dhe depërtimin e rrjeteve kriminale”.