Ka vdekur në moshën 65-vjeçare muzicienti britanik Maxi Jazz, themelues dhe vokalist i dyshes elektronike Faithless.
Maxwell Fraser vdiq të premten “i qetë në gjumë” ka njoftuar shoqja e tij e grupit Sister Bliss.
Faithless do të mbahen në mend për shumë hite, ndër to “We Come 1”, “Insomnia”, “God is a DJ” dhe “Music Matters”.
Në një deklaratë të shpërndarë në faqen e Instagramit të Jazz, nënshkruar nga shokët e tij që kanë qenë pjesë e grupit në të kaluarën, thuhet:
“Ai ishte njeriu që ndryshoi jetët tona në shumë mënyra. Ai i dha kuptim dhe mesazh të duhur muzikës tonë.”
“Ai ishte tekstshkrues briliant, DJ, budist, prezencë e jashtëzakonshme në skenë, adhurues i veturave, bashkëbisedues i pafund, person i bukur, me moral të fortë dhe gjeni.”
I lindur në Brixton, Maxi Jazz përveç grupit Faithless gjithashtu kishte qenë pjesë edhe e grupit Maxi Jazz and The E-Type Boys dhe ka lëshuar muzikë edhe me grupin Soul Food Cafe.
Faithless u themeluan në vitin 1995 dhe cilësohen si pionerë të muzikës dance të përformuar në skena të mëdha.