Forcat ruse kanë infensifikuar sulmet në qytetin jugor të Khersonit, i çliruar së fundmi, njoftoi ushtria ukrainase, ndërsa vazhdon trysnia ruse përgjatë vijave frontale në lindje.
Për 24 orë Rusia sulmoi me 33 raketa objektivat civile në Kherson, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në raportin e mëngjesit të mërkurën. Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët, transmeton VOA.
Luftimet e ashpra vazhduan edhe rreth qytetit të Bakhmutit të kontrolluar nga ukrainasit, që tani është kthyer kryesisht në gërmadha, në provincën lindore të Donetskut dhe në veri të tij, rreth qyteteve Svatove dhe Kreminna në provincën e Luhanskut, ku forcat ukrainase po përpiqen të thyejnë mbrojtjen ruse.
Sirenat për sulme ajrore u dëgjuan gjithashtu në të gjithë Ukrainën të mërkurën në mëngjes, thanë zyrtarët, megjithëse nuk kishte ndonjë njoftim për sulm me raketa dhe më pas u njoftua se nuk kishte rrezik. Raportet në rrjetet sociale ukrainase thonë se alarmi mbarëkombëtar mund të jetë aktivizuar pas nisjes së avionëve rusë të stacionuar në Bjellorusinë fqinje. Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti të verifikojë këto të dhëna.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka propozuar një plan paqeje prej 10 pikash që kërkon nga Rusia respektimin e plotë të integritetit territorial të Ukrainës dhe largimin e trupave të saj.
Por Kremlini të mërkurën hodhi poshtë propozimin, duke përsëritur qëndrimin e tij se Kievi duhet të pranojë aneksimin rus të katër rajoneve të Ukrainës: Luhanskut dhe Donetskut në lindje dhe Khersonit e Zaporizhias në jug. Aneksimi u shpall pas referendumeve që janë cilësuar si të jashtëligjshme nga Ukraina dhe shumica e vendeve të tjera.