Barrikadat e vendosura në rrugët që qojnë në pikat kufitare në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë, janë larguar gjatë ditës së enjte pas afër tri jave qëndrim.

Barrikadat u vendosën më 10 dhjetor nga serbë lokalë, si protestë pas arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq nga autoritetet kosovare të rendit.

Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. tij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka mirëpritur vendimin për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës. Në një njoftim për media KFOR-i tha se heqja e barrikadave duhet të bëhet shpejt dhe në mënyrë të sigurt, duke shmangur çdo lloj incidenti apo rreziku.

“Të gjitha palët duhet të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ata që “vetë i vunë, vet i hoqën ato”, duke ju referuar largimit të barrikadave në veri.

“Me fjalë të tjera krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan vetën”, tha Kurti në pritjen e fundvitit me gazetarë.

“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e Policisë sonë”, tha ai.   / REL /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *