I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka takuar të enjten në Prishtinë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.

Diplomati britanik përshëndeti përpjekjet për të zbutur tensionet në veriun e Kosovës dhe ka inkurajuar riintegrimin e serbëve të Kosovës në institucionet kosovare, ka njoftuar Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të ndalin ciklin e krizave dhe të retorikës së rrezikshme, dhe të punojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike, transmeton REL.

Ndërsa, nga Presidenca e Kosovës është thënë se Presidentja Osmani ka njoftuar Peach lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa ajo ka theksuar përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të vendit për paqe dhe siguri.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, porse pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Në këtë frymë, siç thuhet në njoftim, presidentja Osmani ka kërkuar që “ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, bashkësia ndërkombëtare ta mbajë një qëndrim unik duke dënuar veprime e tilla dhe duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori”.

Ndërkaq, në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se gjatë takimit me Stuart Peach, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe rëndësinë e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Republikën e Kosovës, sidomos në fushën e sigurisë.

“U diskutua edhe për sfidat me të cilat po përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor, rrezikun që paraqet për sigurinë dhe progresin ndikimi i Rusisë dhe rolin e rëndësishëm të NATO-s në parandalimin dhe sprapsjen e synimeve të Moskës për rajonin tonë”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *