Në Bashkimin Evropian kanë filluar konsultimet rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

Presidenca Suedeze e Bashkimit Evropian ka njoftuar se ka filluar konsultimet me vendet anëtare, përfshirë vendet që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kosova dorëzoi kërkesën formale për anëtarësim më 15 dhjetor.

“Ne po konsultohemi me shumë shtete për të parë se si do të vendosim rreth kësaj kërkese. Kemi pesë vende që nuk e njohin Kosovën dhe është e natyrshme që me to konsultohem së pari. Me disa tashmë jam takuar dhe po vazhdojmë takimet”, ka thënë Ambasadori i Suedisë në BE, Lars Danielson.

Ai tha se vendimi se si të veprohet me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE është procedural por edhe politik.

“Është një vendim procedural por ka një rëndësi të madhe politike. Nuk dua t’i paragjykoj rezultatet e konsultimeve por sapo të shoh se po ndërtohet konsensusi mes vendeve anëtare se si të veprohet do të njoftoj vendet anëtare. Kemi dy alternativa: T’ia bartim Komisionit apo të mos ia bartim Komisionit. Por po punojmë me shumë vullnet në këtë dosje” ka thënë Danielson, transmeton REL.

Sipas procedurave në BE pasi një shtet aplikon për anëtarësim, Këshilli kërkon nga komisioni Evropian që të përpiloj mendimin se ai përmbush apo jo aplikuesi kushtet për status kandidati dhe për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *