Kosova duhet të zbatoj themelimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe dhe një bllokim i kësaj çështje mund t’ia vështirësoj rrugën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kanë deklaruar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
“Bllokimi i mëtejshëm i themelimit të Asociacionit nuk do ta bëjë më të lehtë për Kosovën arritjen e shumicës së nevojshme për aplikimin e saj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Ajo do të përbëjë gjithashtu pengesa serioze në procesin e mëtejshëm të asocimit në BE”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane dhënë mediumit KOHA.
Më tutje, në këtë përgjigje është thënë se “partnerët evropianë mund të ofrojnë mjaft ekspertizë, kur bëhet fjalë për hartimin e qasjeve të përshtatshme ligjore”.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, që nga dorëzimi zyrtar i aplikimit më 12 maj, pretenduan se është siguruar shumica e nevojshme për anëtarësim.
E krahas Gjermanisë, për themelimin e Asociacionit insistim ka pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, paralajmëroi që në rast se nuk bëhen veprime nga Kosova, atëherë ato do të ndërmerren nga ndërkombëtarët.