Ish-diplomati amerikan William Walker është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me titullin “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit”.
Begaj deklaroi se Walker është mik i shqiptarëve që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, rajonit dhe të NATO-s.
“Ambasadori William Walker është një personalitet ndërkombëtar, diplomat dhe humanist, i cili me punën dhe kontributin e tij krijoi një lidhje të pazgjidhshme me kombin shqiptar dhe me te gjithë qytetarët e Kosovës”, tha presidenti shqiptar, transmeton Albanian Post.
Begaj tha se Walker u bë dëshmitar i një prej masakrave më të mëdha dhe falë veprimeve dhe angazhimeve të Walkerit e gjithë bota u informua për krimet në Kosovë.
“Vendet e qytetëruara dhe demokratike si edhe komuniteti ndërkombëtar reaguan me shpejtësi për të dënuar gjenocidin në zemër të Evropës dhe për t’i dhënë fund regjimit të Millosheviçit në Kosovë. Sot populli i Kosovës prosperon në rrugën e demokracisë dhe lirisë por hijet e atyre kohërave të trishta vërtiten akoma në rajonin tonë, në epokën e një lufte tjetër të re e të përgjakshme në Evropë”.
Ndër të tjera, Begaj përmendi botimin e librit nga Walker për Reçakun.
“Jam i sigurt se ky libër do të jetë një kontribut i rëndësishëm dhe i shtuar për arsyet dhe parimet që bota demokratike, SHBA dhe NATO vendosën të ndërhyjnë dhe i dhanë fund gjenocidit serb në Kosovë. Duke e mbyllur, ju uroj juve dhe familjes suaj Ambasador një Vit të Ri të mbarë, të shëndetshëm dhe të begatë”.