Organizata Oxfam ka bërë të ditur se për herë të parë në 25 vite, pasuria ekstreme dhe varfëria ekstreme në botë janë duke u rritur njëherëshi.
Përqindja më e pasur e popullsisë së botës ka arkëtuar rreth dy të tretat e rritjes së pasurisë mbarëbotërore, thuhet në raportin “Survival of the Richest” (Mbijetesa e më të pasurve).
Ky raport u publikua pikërisht në ditën e fillimit të Forumit të Ekonomisë Botërore në Davos të Zvicrës.
Në Gjermani tendenca është edhe më evidente, sipas organizatës kritike ndaj kapitalizmit. 81 përqind e të ardhurave nga rritja e pasurisë së përgjithshme mes viteve 2020 dhe 2021 në Gjermani, sipas raportit, i ka kaluar përqindjes më të pasur të popullsisë, transmeton DW.
Pasuria e përgjithshme e të gjithë miliardereve dhe miliarderëve në mbarë botën që nga viti 2020 është rritur mesatarisht çdo ditë me rreth 2,7 miliardë dollarë të SHBA-së.
Sipas Oxfam aktualisht jetojnë të paktën 1,7 miliardë punonjëse dhe punonjës në vendet, në të cilat inflacioni është më i lartë se sa zhvillimi i pagave. Një në dhjetë vetë në planet është i uritur, rreth 828 milion njerëz. 60 përqind e popullsisë botërore që vuan nga uria janë gra dhe vajza.
Oxfam kërkon si rrugëdalje nga kriza rritjen e taksave për të pasurit. Në disa vende më të varfërit përballen me taksa më të larta se miliarderët.