Referimi i rezolutës 1244 të OKB-së nga viti 1999 dhe pretendimi se asgjë nuk ka ndodhur që atëherë është një shpikje propagandistike e Aleksandar Vuçiqit dhe mediave të tij

Zlatoje Martinov
danas.rs

Është e pabesueshme që qeveria aktuale për më shumë se një dekadë në opinionin tonë me sukses ka manipuluar me të ashtuquajturën “çështje të Kosovës”, duke krijuar përshtypjen e përgjithshme se çështja e statusit të Kosovës nuk është zgjidhur dhe se dialogu në Bruksel gjatë gjithë këtyre viteve është zhvilluar gjoja rreth nevojës për një “zgjidhje kompromisi”, çfarëdo që të nënkuptojë kjo, sepse ne kurrë nuk kemi marrë një përgjigje nga kryenegociatori Aleksandar Vuçiq në pyetjen se çfarë nënkupton në të vërtetë “zgjidhja e kompromisit”. Por gjithmonë theksohej se “nuk do ta japim kurrë dhe kurrë Kosovën”.

Është edhe më interesant që gazetarët e të ashtuquajturave media të pavarura në konferenca të shumta dhe në “fjalimet e Presidentit të Republikës për Kosovën” gjatë gjithë këtyre viteve, nuk e ballafaquan Vuçiqin me faktin se Kosova është de facto e pavarur me ose pa njohje zyrtare dhe se ka qenë që nga viti 2008, sidomos pas miratimit të dokumenteve të shumta në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, atë që njihen në mënyrë implicite, dhe po diskutohet vetëm edhe për problemet që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve politike ndërmjet dy shteteve, dy fqinjëve të afërt.

Referimi i rezolutës 1244 të OKB-së nga viti 1999 dhe pretendimi se asgjë nuk ka ndodhur që atëherë është një shpikje propagandistike e Aleksandar Vuçiqit dhe mediave të tij.

Me dashje dhe me vetëdije po “harrohet” se më 2008 ndodhi shpallja e pavarësisë së Kosovës, që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nxori një vendim më 22 korrik 2010 se shpallja e pavarësisë nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare, që më pas pasuan një sërë dokumentesh të miratuara dhe mbi të gjitha detyruese në kuadër të dialogut të Brukselit të filluar në vitin 2013, si dhe miratimin e një dokumenti kyç për integrimin e plotë të serbëve nga Kosova në rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës (2017).

Siç dihet, serbët janë të përfshirë në pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor të Republikës së Kosovës, kanë marrë pjesë në zgjedhjet komunale dhe parlamentare në Kosovë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, ministrat serbë në qeverinë e Kosovës si dhe deputetët serbë në parlamentin e Kosovës u betuan për besnikëri ndaj Kushtetutës së Kosovës dhe me ato akte u shfuqizuan institucionet paralele.

Prandaj, Serbia ka kohë që nuk ka asnjë autoritet kushtetues dhe ligjor në Kosovë. Por si qeveria ashtu edhe mediat besnike ndaj saj vazhdojnë të flasin për Kosovën si “krahinën tonë jugore”. Është vetëm në kokat dhe fantazitë e atyre që kanë humbur sensin e realitetit dhe që qëllimisht po ua lyejnë sytë dhe po ngatërrojnë mendjet e qytetarëve të Serbisë.

Po, Kosova është “krahina jonë jugore” dhe në preambulën – tashmë kryesisht arkaike – të Kushtetutës së vitit 2006, ndërkohë që Kosova ende nuk e kishte shpallur pavarësinë.

Prandaj, edhe po të dojë, Serbia nuk është në gjendje të heqë dorë nga diçka që nuk e ka më, që në realitet nuk e posedon.

Të thuash sot në 2023: “nuk duhet të heqim dorë nga Kosova” apo “nuk do ta japim Kosovën” është njësoj – në kuptimin e realitetit – si t’i thuash çdo kreditori: “Mos u shqetëso, sapo të fitoj llotarinë nesër, do të të paguaj borxhin menjëherë”.

Nëse Kosova do ta njohë Serbinë dhe Serbia do ta njohë Kosovën, natyrisht nuk është e rëndësishme për ekzistencën dhe funksionimin e të dy shteteve. Por sigurisht që do të ndihmonte në vendosjen e marrëdhënieve më të mira politike dhe ekonomike dhe do të eliminonte mimikën politike të cilën e shohim prej vitesh në adresimet e shpeshta melodramatike televizive të Vuçiqit.

Por, njohja eventuale serbe nuk ka rëndësi të madhe për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, përderisa pesë vendet e BE-së nuk e njohin Kosovën.

Perëndimi më në fund e kuptoi këtë dhe kjo është arsyeja pse propozimi franko-gjerman nuk insiston në njohjen formale, por vetëm në njohjen faktike, të nënkuptuar, e cila është e pamohueshme dhe e dukshme me sy të lirë.

Sepse ne duhet ta dimë: pesë vende të BE-së nuk do ta njohin Kosovën edhe sikur ta njohë Serbia. Gjegjësisht, ata nuk e njohën Kosovën jo për shkak të Serbisë, por për shkak të mundësisë së lajmëruar shpesh për shkëputje të disa provincave të tyre (Katalonja në Spanjë, komuniteti turk në Qipro, Erdely në Rumani…).

Po kështu, në rastin e njohjes reciproke ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Rusia e Putinit sigurisht që nuk do ta njihte Kosovën.

Përsëri, jo për shkak të Serbisë, por sepse e konsideron Kosovën një pozicion perëndimor dhe do të kishte një arsye tjetër për të sfiduar Perëndimin.

Kosova pa dyshim do të hyjë në shumë organizata të rëndësishme ndërkombëtare (ajo tashmë ka hyrë në disa), por vështirë se do të hyjë në Kombet e Bashkuara (për shkak të vetos ruse dhe shumicës së nevojshme prej dy të tretash në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së) për sa kohë që Putini është në pushtet në Rusi, d.m.th për sa kohë që Rusia nuk e ndryshon rrënjësisht politikën e saj. Dhe me regjimin e Putinit, Rusia me siguri as nuk do të jetë në gjendje dhe as do ta bëjë këtë.

Prandaj, për një analist të paanshëm është krejtësisht e qartë se nga pikëpamja e pozitës ndërkombëtare, njohja formale nga Serbia është më pak e rëndësishme për Kosovën. Një njohje e tillë nga pesë vende evropiane dhe Rusia dhe Kina është shumë më e rëndësishme për të.

Prandaj, në planin më të ri, Perëndimi insiston në mospengesa reciproke si në integrimin evropian, ashtu edhe në hyrjen në institucionet ndërkombëtare, dhe ajo që është shumë e rëndësishme, kërkon një “garanci të ndërsjellë të integritetit territorial të dy vendeve”, dhe kjo do të thotë jo vetëm një njohje e heshtur se janë dy vende, por edhe zgjidhje paqësore e të gjitha mosmarrëveshjeve të ardhshme dhe parandalim të konflikteve të armatosura të mundshme në Ballkan.

Prandaj kjo është arsyeja pse ne duhet të nënshkruajmë planin franko-gjerman sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të dy vendet (e njohën apo jo njëra-tjetrën) përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme të fillojnë integrimin evropian, sepse të dyja janë në Evropë dhe sigurisht ndajnë vlerat evropiane, jo disa vlera të tjera.

(Zlatoje Martinov është publicist dhe analist politik. Shkrimi është përkthyer nga KlanKosova.tv)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *