Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të premten në Stamboll me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, ku kanë biseduar për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.
Gjatë konferencës së përbashkë, Kurti falënderoi Turqinë për “mbështetjen e zëshme” për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshill të Evropës.
“Në NATO na bashkon orientimi. Në Këshill të Evropës vlerat. Në të dyjat, na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon kontinenti i Evropës”, tha Kurti, transmeton REL.
Presidenti turk tha se shpreson që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të sjellë stabilitet për rajonin.
“Ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe presim që palët të dëshmojnë një qasje paqësore e konstruktive. Shpresojmë që procesi i dialgout me Serbinë të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, u shpreh Erdogan.
Presidenti turk tha se Turqia po vazhdon përpjekjet për t’u siguruar që Kosova të “arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare”, dhe u shpreh mbështetës për rrugëtimin dhe ambicien e Kosovës për integim në organizatat ndërkombëtare.
Paralelisht, Erdogan tha se diskutoi me Kurtin se çfarë mund të bëhet më shumë në investime ekonomike, si dhe në luftën kundër terrorizmit. Erdogan vuri theks të veçantë te lëvizja Hizmet, e klerikut Fetullah Gulen, të cilës Turqia i referohet me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste.