Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i gatshëm për takimin e radhës me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Këtë e ka konfirmuar Kurti gjatë një bisede telefonike me Këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.
“Kryeministri Kurti konfirmoi gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe shprehu pajtimin e tij për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog, sepse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, transmeton KOHA.
Konfirmimi u bë nga Zyra e kryeministrit, një ditë pasi që Chollet e mirëpriti pranimin e këtij plani nga ana e Kosovës. Ai e ka interpretuar veprim si me përfitime për të dyja palët e përfshira në dialog.
Pranimi i planit ka gjeneruar sinjale të mbështetjes ndërkombëtare për Qeverinë, porse jo edhe nga të gjitha subjektet opozitare në Kosovë.
Ndërsa, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka paralajmëruar ditë më parë se takimi i ardhshëm i nivelit të lartë midis kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, në kuadër të dialogut, do të zhvillohet shumë shpejt në Bruksel.