Kosova po shënon 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Gjatë ditës së premte, pjestarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës kanë parakaluar në sheshet kryesore në qendër të Prishtinës.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Në këtë përvjetor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në Kuvendin e Kosovës se përgjatë këtyre viteve Kosova është forcuar si vend i ri.

“Kosova ka dëshmuar kulturë demokratike në organizimin e jetës politike dhe funksionimin e institucioneve”, ka thënë Osmani, transmeton REL.

Duke përmendur në veçanti sfidat me Serbinë, ajo ka thënë se populli “duhet të jetë një”.

“Si gjithnjë, ne duhet të reflektojmë maturi, të bashkëndjejmë dhe të bashkëveprojmë karshi këtyre sfidave. Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i gjithsecilit”, ka thënë ajo.

Duke folur për aleatët, ajo ka përmendur se “siç e kemi kurorëzuar lirinë me ndihmën e tyre, njësoj shpresojmë ta përmbyllim edhe procesin e integrimeve evropiane me ndihmën e tyre”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar qytetarët në 15-vjetorin e shtetësisë, duke thënë se shteti i Kosovës është shembull i mirë i demokracisë “në këtë rajon problematik siç është Ballkani”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një mbledhje festive të Qeverisë për 15-vjetorin e shtetësisë së Kosovës.

“Detyra jonë kryesore është që kur të vijë 20-vjetori, të jenë shtuar dhe shumëfishuar arsyet që të rejat dhe të rinjtë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë, dhe për një jetë më të mirë”, ka thënë Kurti.

Për 15 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.

Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *