Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka vizituar Ukrainën të hënën pa dhënë një paralajmërim publik për këtë vizitë.
Në Kiev, Presidenti amerikan u prit nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tw cilin e njoftoi për një ndihmë prej gjysmë miliardë dollarësh shtesë nga SHBA, përfshirë predha, raketa antitank, radarë të mbikëqyrjes ajrore dhe ndihma të tjera, por jo armatime të reja të avancuara.
Misioni i presidentit amerikan me vizitën në Kiev, e cila u bë përpara një udhëtimi të planifikuar në Poloni, ishte të theksonte se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të qëndrojnë me Ukrainën “për aq kohë sa duhet” për të zmbrapsur forcat ruse, transmeton VOA.
“Unë jam këtu për të treguar mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë e vendit, sovranitetin tuaj dhe integritetin territorial. Sot shpresoj se do të kemi një shans për të diskutuar se si Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të vazhdojnë mbështetjen në mënyrë më efektive për ju dhe vendin tuaj”, tha presidenti amerikan Joe Biden në Kiev.
Vazhdimi i përkrahjes amerikane dhe aleatëve për Kievin përfshin edhe një ndihmë të re prej gjysmë miliardë dollarësh shtesë.
“Së bashku me aleatët jemi zotuar për rreth 700 tanke dhe mijëra mjete të tjera të blinduara. 1000 sisteme artilerie, më shumë se dy milionë municione armatimi, më shumë se pesëdhjetë sisteme raketash të avancuara dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. E gjithë kjo për të mbrojtur Ukrainën dhe kjo nuk llogarit gjysmë miliardë dollarë të tjerë që do t’i shpallim sot”, tha zoti Biden dhe shtoi:
“Dhe kjo tregon se sa gjatë do jemi pranë jush, për aq kohë sa të duhet”.
Vizita e presidentit Biden duket se është planifikuar për të lënë në hije presidentin rus Vladimir Putin, i cili ka paralajmëruar një fjalim të rëndësishëm të martën. Zoti Putin pritet të tregojë synimet për vitin e dytë të luftës në Ukrainës që ai tani e quan një luftë jo të drejtpërdrejtë kundër fuqisë së armatosur të Uashingtonit dhe NATO-s.