Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden e ka vlerësuar si “gabim të madh” vendimin e Presidentit rus, Vladimit Putin për të pezulluar marrëveshjen për kontrollin e armëve bërthamore.

Komentet e presidentit amerikan erdhën teksa ai i dha fund një vizitë katër-ditore në Poloni dhe Ukrainë, me bisedime me udhëheqësit e atij që njihet si grupi i Bukureshtit, në përbërje të të cilit janë 9 vende të pjesës më lindore të aleancës së NATO-s.

“Është një gabim i madh”, tha Presidenti Biden, transmeton VOA.

Këto ishin komentet e tij të para që nga njoftimi që zoti Putin bëri të martën lidhur me traktatin e njohur si ‘START-i i ri’.

Ndërsa lufta në Ukrainë po zvarritet shqetësimi që ekziston mes nëntë vendeve të Bukureshtit vazhdon të jetë i madh. Shumë frikësohen se presidenti Putin mund të ndërmarrë veprime ushtarake kundër tyre në vijim, nëse do të jetë i suksesshëm në Ukrainë.

Grupi u formua të vitin 2014 si përgjigje nga zotit Putin për aneksimin e Krimesë, një territor ukrainas. Aleanca përfshin Bullgarinë, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Rumaninë dhe Sllovakinë.

“Ju jeni vija e parë e mbrojtjes sonë kolektive”, u tha udhëheqësve të grupit Presidenti Biden të mërkurë. “Dhe ju e dini, më mirë se kushdo, se çfarë po rrezikohet nga ky konflikt. Jo vetëm Ukraina, por edhe liria e demokracia në të gjithë Evropën dhe në mbarë botën”, shtoi ai.

Presidenti tha se pakti i NATO-s për mbrojtje kolektive është “i shenjtë” dhe se: “ne do të mbrojmë, çdo pëllëmbë të NATO-s, në kuptimin e plotë të fjalës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *