Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar marrëveshjen financiare për programin vjetor IPA 2023, në vlerë prej 75 milionë euro.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se nga kjo marrëveshje Kosova do të përfitojë 75 milionë euro dhe se këto fonde do të dedikohen për sektorin e energjisë.
“Sot kam kënaqësinë të nënshkruaj marrëveshjen financiare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin vjetor IPA 2023, e cila i është dedikuar financimit në fushën e energjisë. Ky program përbën edhe një hap tjetër te rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian dhe dëshmon përkushtimin tonë ndaj vlerave dhe standardit evropian. Nga ky program Kosova përfiton fonde në vlerë prej 75 milionë euro. Këto mjete padyshim se do të na ndihmojnë në adresimin e ndikimit të krizës energjetike të cilat Kosova ashtu si të gjitha vendet e Evropës është duke i përjetuar”, tha Bislimi, transmeton ABCNews.
Zëvëndëskryeministri Bislimi tha se marrëveshja hyn në fuqi nga dita e sotme dhe 67.5 milionë euro pritet të disbursohen shumë shpejtë në buxhetin e shtetit.
Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, e ka quajtur unike që Kosova ka arritur ta çojë përpara këtë marrëveshje në më pak se tre muaj. Ndërsa, shtoi se ndarja e këtyre fondeve do t’i dedikohet sektorit të energjisë të ndikuar nga agresioni rus në Ukrainë, që jo vetëm Kosova, por e gjithë bota e ka ndjerë.
“Kjo është pjesë e një 500 milionëshi si ndihmë i partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Arsyeja pse BE-ja ka mobilizuar këtë është sepse agresioni rus i paprovokuar ndaj Ukrainës dhe ndikimi i saj në tregun botëror, e posaçërisht atij energjetik. Ka qenë një vit prej se kemi dëshmuar shkatërrimin e kësaj lufte që i ka sjell Ukrainës edhe pse nuk mund të mohojmë faktin se gjithë të tjerët e kanë ndjerë këtë në jetën e tyre”, tha Szunyog.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar më shumë për veçantinë e këtij programi.
“Mesatarisht, familjet kosovare, gjatë vitit të kaluar kanë konsumuar 4% më pak energji elektrike sesa vitin e kaluar. E veçanta e këtij programi për dallim prej shumë programeve të tjera është që ai është plotësisht në përputhje me prioritetet dhe nevojat tona, është plotësisht i ndërtuar mbi bazën e kapaciteteve tona insitutcionale dhe llogarit në kapacitetet tona institucionale për zbatimin e programit”, tha Rizvanolli.
Rizvanolli ka thënë se Fondi i Efiçiencës së Energjisë me programin do të zhvillojë programe të tjera në ndihmë të familjeve kosovare.