Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, deklaroi se e përkrah angazhimin e Serbisë në propozimin e Bashkimit Evropian për marrëveshjen finale me Kosovën.
Ai shkroi në Twitter të dielën se ka biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për takimin e së hënës në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit Vuçiq.
“Përshëndes angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë për konstruktivitetin në propozimin e BE-së për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, shkroi Chollet.
Kurti e Vuçiqi do të takohen të hënën me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Chollet i ka thënë kryeministrit të Kosovës të shtunën se është koha të diskutohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Planin franko-gjerman, Kurti e ka quajtur si bazë të mirë që çon në arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, ndërsa themelimin e Asociacionit e ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian. / KOHA /