Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar sot ligjin që pezullon pjesëmarrjen e Rusisë në të vetmin traktat të mbetur të kontrollit të armëve me SHBA-në, traktatin New START, njoftuan mediat lokale të martën.
Putin kishte njoftuar për pezullimin e pjesëmarrjes nga ky traktat gjatë fjalimit drejtuar kombit të mbajtur më 21 shkurt. Në atë fjalim, ai tha se Rusia nuk po tërhiqej nga marrëveshja.
Agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi se dokumenti u publikua të martën dhe ligji hyri në fuqi që nga momenti i publikimit të tij, transmeton Opinion.al.
Putin nënshkroi gjithashtu një ligj për përfundimin e traktateve ndërkombëtare të Këshillit të Evropës në lidhje me Federatën Ruse.
I nënshkruar në vitin 2010 dhe i zgjatur në 2021 për pesë vjet të tjera, traktati synon të kontrollojë dhe reduktojë forcat bërthamore strategjike të përdorura nga SHBA dhe Rusia.
Ky traktat kufizon arsenalin bërthamor të dy shteteve në 800 sisteme dhe 1.550 koka bërthamore operacionale për secilin shtet. Po ashtu, traktati inkurajon Uashingtonin dhe Moskën që të ndajnë informacione lidhur me arsenalet e tyre strategjike bërthamore dhe të realizojnë 18 vizita në ndërtesat bërthamore për çdo vit.