Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë filluar takimin e përbashkët në Ohër të Maqedonisë së Veriut, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë.
Paraprakisht, ata takuan ndaras shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, transmeton REL.
Në agjendë janë diskutimet për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.
Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave.
SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.