Më shumë se 4 miliardë njerëz, apo mbi 51 për qind e popullsisë së botës, do të jenë mbi peshë ose obezë deri në vitin 2035.
Kështu parasheh raporti më i ri i Federatës Botërore të Obezitetit.
Duke i përshkruar të dhënat një “paralajmërim të qartë”, Louise Baur, presidente e Federatës Botërore të Obezitetit, tha se hartuesit e politikave duhet të vepronin menjëherë për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
“Është veçanërisht shqetësuese të shohësh që normat e obezitetit të rriten më shpejt tek fëmijët dhe adoleshentët”, tha ajo në një deklaratë, transmeton VOA.
Raporti zbuloi se obeziteti tek fëmijët mund të dyfishohet nga nivelet e vitit 2020, në 208 milionë djem dhe 175 milionë vajza, deri në vitin 2035.
Kostoja që do paguajë shoqëria është e madhe si rezultat i gjendjeve shëndetësore që lidhen me mbipeshën, tha federata: më shumë se 4 trilion dollarë në vit deri më 2035, ose 3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) global.
Megjithatë, autorët thanë se nuk po fajësonin individët, por po bënin thirrje për t’i kushtuar vëmendje faktorëve shoqërorë, mjedisorë dhe biologjikë.