Artisti i njohur nga Prishtina, Jakup Ferri hapi të shtunën (18 mars) ekspozitën e tij personale në Muzeun e Arteve të Lucernit, që është njëra ndër hapësirat më të shquara të ekspozimit, në Zvicër.
Ky muze ndodhet në ndërtesën më emblematike – nga ato modernet – të Lucernit, të njohur si KKL (Kultur und Kongreszentrum Luzern).
Sot, në një aktivitet që i prin hapjes (vernisazhit), ekspozitën e kanë vizituar kryetari i qytetit të Luzernit Thomas Lussi dhe drejtoresha e Muzeut të Arteve të Luzernit, Fanni Fetzer, të drejtuar nga kuratorja, Eveline Suter, transmeton albinfo.ch.
Sigurisht, hapja e ekspozitës personale në një ambient si ky është një shans që u jepet vetëm artistëve të zgjedhur.
Ekspozita e hapur më 18 mars, qëndron e hapur deri më 28 maj dhe mban titullin “We, we or me” (Ne, ne ose unë) është organizim i muzeut të arteve në bashkëpunim me “Fumetto Comic Festival Luzern”, thotë Ferri.
Bota pikturale e Jakup Ferrit (i lindur në vitin 1981) është përplot ngjyra dhe plot krijesa të lumtura. Njerëzit, kafshët dhe krijesat e kombinuara bëjnë gjimnastikë, ngasin biçikleta ose lëvizin nëpër tablotë e pikturave, me një trotinet, thuhet në prezantimin që galeria i bën ekspozitës së piktorit nga Kosova. “Mbi të gjitha, ato bëhen bashkë: jashtë për një piknik, në tryezën familjare, për të kërcyer, për të bërë muzikë ose për të luajtur shah në park”.
Jakup Ferri duket se pyet veten teksa vizaton: çfarë tjetër ka në një motiv? – Dhe saora, kopsat e këmishës bëhen kokrra që të qëllohen nga zogjtë… Nga krijimet e tij shpërthen zgjuarsia grafike dhe gëzimi narrativ.
Artisti kosovar ruan një stil linear, konturet janë në plan të parë dhe kornizojnë ngjyrat e forta. Duke u nisur nga vizatimet, Jakup Ferri krijon piktura dhe shpikjet e tij pikturale i ka të endura ose të qëndisura. Mikroorganizmat, arti popullor, artizanati, arti brut dhe bota me pixel e lojërave kompjuterike i shërbejnë atij si frymëzim. Në instalimet e tij ai mbulon qilima me modele abstrakte-konkrete, vizatime dhe piktura të qëndisura për të krijuar një kozmos të dendur plot histori.
Pas hapjes, të dielën ka dhe një punëtori të udhëhequr nga Jakup Ferri, në kuadër të ekspozitës ndërsa më 22 mars, një bashkëbisedim me Ferrin dhe me kuratoren e ekspozitës, Eveline Sutter, me fillim nga ora 18.00.
/ albinfo.ch /