Të enjten, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është debatuar rreth marrëveshjes së arritur në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Debati u zhvillua mbi një raport të Misionit të OKB-së për situatën në Kosovë, nga tetori i vitit të kaluar që përfshinë tensionet që përfshinë veriun e Kosovës.
Të dyja palët e kritikuan raportin si të paplotë, por ndërsa ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç tha se Misioni i Kombeve të Bashkuara duhet të vazhdojë të funksionojë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e cilësoi UNMIK-un si “faktor destabilizues” që nuk i shërben qëndrueshmërisë dhe paqes në rajon, transmeton VOA.
Ministri serb tha se vendi i tij “kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të mbështesë anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara”.
Në anën tjetër, Ministrja kosovare tha se “Serbia është kërcënimi më i madh për paqen në Ballkan”, ndërsa përmendi krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
Javën që vjen udhëheqësit e të dyja vendeve do të takohen në Bruksel për të diskutuar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Pjesa më e madhe anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, u bënë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë marrëveshjet e mëhershme, duke vënë theksin te Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Lexo më shumë këtu