Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë angazhimet për të cilat janë pajtuar në ‘marrëveshjen historike’ të arritur në Ohër, ka deklaruar të enjten Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Thomas Greenfield.

Sipas deklaratës lëshuar nga zëdhënësi i misionit amerikan në OKB, Nate Evans, zonja Greenfield ka deklaruar se “sa e rëndësishme është që të dyja palët të zbatojnë urgjentisht angazhimet e dala nga marrëveshja historike, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin”, transmeton REL.

Një ditë para seancës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Greenfield ka biseduar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq. Paraprakisht, më 25 prill, ajo ishte takuar me zëvendëskryeministren e Kosovës dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë aktive për mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në përmbushjen e obligimeve të tyre në arritjen e marrëdhënieve të parashikueshme dhe paqësore, i tha Thomas-Greenfield ministrit serb.

Më 2 maj, në Bruksel, Serbia dhe Kosova duhet të vazhdojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat po i zhvillojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). Negociatat do të vazhdojnë mes aktivitetesh të intensifikuara diplomatike të partnerëve perëndimorë, në radhë të parë të BE-së dhe SHBA-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *