Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia dëshiron të zvarris procesin e dialogut me Kosovën dhe të përdorë minoritetin serb për të sfiduar sovranitetin e Kosovës.

Të mërkurën, në një bisedë me Këshillin Atlantik në Uashington, Osmani tha se nuk duhet rënë në kurthin e Presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Ne nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiçit, që nënkupton vetëm vonesa dhe zvarritje të procesit. Serbisë nuk i intereson minoriteti serb, por i intereson vetëm që ta ketë një instrument, përmes të cilit do të mund ta sfidojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka deklaruar Osmani, transmeton Top Channel.

Ajo e ka komentuar edhe draft-statutin për Asociacionin, të prezantuar më 2 maj, nga një ekip menaxhues, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.

“Pika fillestare duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës. Jo propozimi i Serbisë që synon të krijojë një tjetër republikë të [udhëheqësit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad] Dodikut, apo edhe më keq, në rajon… ndërsa draft-vizioni i Qeverisë i ka prezantuar parametrat, mbi të cilët do të mund të formohet statuti dhe i cili është në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Kushtetutës”, ka thënë ajo.

Më 2 maj, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel është prezantuar draft-statuti për Asociacionin, i përpiluar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky ekip është shkarkuar një ditë më vonë, nga autoritetet e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *