Në raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovës përshëndetet aplikimi për anëtarësim derisa gjithashtu i bëhet thirrje pesë shteteve të Bashkimit Evropian që të njohin shtetin e Kosovës.
Për raportin për Kosovën votuan 452 deputetë, 87 ishin kundër dhe 76 abstenuan.
Tekstet e raporteve për Kosovën dhe Serbinë paraprakisht ishin miratuar në Komisionin për politikë të jashtme, ndërkaq tani atyre iu shtuan disa amendamente të propozuara, që morën shumicën e votave të deputetëve evropianë, transmeton REL.
Në tekstin e raportit për Kosovën po ashtu mirëpritet përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave. Të gjitha këto porosi janë pjesë e rezolutës së propozuar dhe u dëgjuan po ashtu nga shumë deputetë gjatë debatit që u zhvillua të martën mbrëma në seancën plenare të Parlamentit.
Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, e cila e ka përpiluar tekstin e propozuar, është shprehur e kënaqur për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.
Në Rezolutën për Serbinë është shprehur keqardhje për mospërshtatjen e qëndrimeve të këtij vendi në politikën e jashtme të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
Në raportin për Serbinë është përfshirë edhe një amendament i propozuar nga raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, përmes së cilit shprehet keqardhje për bojkotin e zgjedhjeve lokale, të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill. Aty thuhet se ky bojkot ishte instrumentalizuar nga Beogradi.
Raportuesi për Serbinë në PE, Vladimir Biliçik, shprehu keqardhjen për përfshirjen e këtij amendamenti në raport, pasi sipas tij, “faji për mossuksesin e zgjedhjeve i hidhet vetëm Serbisë dhe kjo nuk ndihmon”.
Si von Cramon, ashtu edhe Biliçik shprehën shqetësimin për tensionet e mundshme në veri dhe bën thirrje që të gjitha veprimet e autoriteteve të Kosovës të marrin parasysh lirinë e lëvizjes dhe shmangien e tensioneve.