Zgjedhjet e reja në komunat në veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt dhe të ketë një pjesëmarrje të lartë të votuesve, ka deklaruar Kancelari gjerman Olaf Scholz.

Në prag të Samitit të Bashkimit Evropian ku do të flitet edhe për Kosovën, kancelari gjerman Olaf Scholz kërkon vënien në jetë të Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ekziston një marrëveshje e propozuar dhe negociuar nga dy vendet që pasqyron një kontratë që do të rregullojë bazat e marrëdhënieve dhe që tani duhet të vihet në jetë. Kjo përfshin një seri të tërë marrëveshjesh dhe ato tani duhet të zbatohen”, ka thënë Scholz, transmeton DW.

“Nga këndvështrimi ynë, është e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë në çtensionim, që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet në komunat serbe në Kosovë, që të ketë një pjesëmarrje të lartë dhe që të zgjedhurit të mos jenë vetëm të zgjedhur formalisht, por që aty të jenë aktivë bashkiake dhe bashkiakë legjitimë, që të zbatohet  pjesa e marrëveshjes mbi Asociacionin e Komunave Serbe. Kjo duhet bërë tani”, ka deklaruar Kancelari gjerman.

Të enjten dhe të premten, në Bruksel zhvillohet takimi i radhës i Këshillit të Bashkimit Evropian, ku ndër të tjera do të diskutohet edhe situata e tensionuar në veri të Kosovës.

Siç u ra dakord në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, në fillim të javës, në Luksemburg, BE do të marrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Serbisë në se nuk shënojnë përparim në shtensionimin e situatës. Masat parashikohen të jenë politike e financiare.

.

.

.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *