Shefi i inteligjencës së Serbisë, Aleksandar Vulin, është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përfshirje në aktivitete korruptive dhe destabilizuese.
Kështu ka njoftuar Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit.
Vulin është Drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), derisa më herët ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm.
Departamenti amerikan i Thesarit tha se përcaktimi i Aleksandar Vulinit “nënvizon vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbajtur përgjegjës ata që janë të përfshirë në marrëveshje korruptive dhe që çojnë përpara agjendat e tyre politike dhe interesat personale në kurriz të paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, transmeton VOA.
“Veprimet e sotme mbajnë përgjegjës Aleksandar Vulinin për veprimet e tij korruptive dhe destabilizuese që po ashtu kanë lehtësuar veprimtaritë keqdashëse të Rusisë në rajon”, tha nënsekretari i Thesarit Brian E.Nelson, duke nënvizuar se Departamenti i Thesari “nuk do të ngurrojë të përcaktojë që abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale duke dëmtuar qeverisjen efektive dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor”.
Në një njoftim të këtij departamenti thuhet e Aleksandar Vulin ka qenë i përfshirë në krimin e organizuar transnacional, operacione të paligjshme të narkotikëve dhe keqpërdorim të detyrës publike. Ai ka mbajtur një marrëdhënie të dobishme të ndërsjellë me tregtarin serb të armëve Slobodan Teshic, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, duke ndihmuar në sigurimin që dërgesat e paligjshme të armëve të Teshiçit mund të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë.
Veprimet e Vulinit kanë çuar përpara korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. Këto veprime përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit të tij për përfitime personale dhe përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës.
Ai, thuhet në njoftim, ka përdorur postet e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar veprimtaritë keqdashëse të Rusisë që dëmtojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për të çuar më tej ndikimin e saj në rajon.