Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Ristuccia, ka thënë se gjithçka që lidhet me sigurinë në Kosovë, duhet të bëhet në koordinim me këtë mision.
Ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se dhjetë vjet më parë Kosova është zotuar për të mos e angazhuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në veri pa konsultim paraprak dhe miratim të komandantit të KFOR-it.
“Në përputhje me obligimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri kërkon negociata me KFOR-in. Ne presim konsultime për çdo veprim të forcave speciale të Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në siguri”, ka thënë Stoltenberg atë ditë.
Ndërkohë, në një konferencë për media në Beograd të martën, Ristuccia i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse duhet kërkuar leja e KFOR-it kur është fjala për dërgimin e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës në veri.
Ai ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë është “shumë të paqëndrueshme” dhe që gjendja mund të përshkallëzohet shpejt, transmeton REL.
Ai ka vlerësuar se ngjarjet që kanë kërcënuar me dëmtim të sigurisë, janë pasuar me përpjekje të mëdha ushtarake dhe diplomatike për të krijuar një situatë më paqësore dhe të balancuar.
Ristuccia ka thënë se qasja konstruktive nga të dyja palët është kyçe për t’i krijuar kushtet e nevojshme për siguri të përhershme në Kosovë dhe në rajon, për të mirën e të gjithëve dhe të gjeneratave të reja.