Vrasja e një zyrtari të Policisë së Kosovës të dielën në veri të vendit është dënuar nga Shtetet e Bashkuara, duke bërë thirrje që autorët duhet të dalin para përgjegjësisë.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier në reagimin e tij përmes një komunikate tha se Shtetet e Bashkuara i dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj policisë së Kosovës.
“Ne po e vëzhgojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre”, thuhet në deklaratën e ambasadorit Hovenier, transmeton VOA.
Ambasadori amerikan tha se policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. “Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reaguesi i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë bashkërendimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe KFOR-it”, shkroi ai.
Zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është vrarë të dielën në veri të Kosovës. Policia ka thënë se është sulmuar në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku janë plagosur edhe tre zyrtarë policorë.
Si pasojë e sulmeve të vazhdueshme, Policia ka konfirmuar vrasjen e tre sulmuesve dhe arrestimin e disa të tjerëve.
Vrasja e pjesëtarit të policisë së Kosovës nxiti reagime në shkalë të gjerë. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila ndodhet në Nju Jork, tha se i ka ndërprerë të gjitha takimet dhe do të niset për në Kosovë.
.
Lexo më shumë këtu
.
.
.