Disa vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar që të ketë masa ndëshkuese ndaj Serbisë nëse vërtetohet se ky shtet ka patur lidhje me grupin terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës të dielën në veri të Kosovës.
Në një takim të përfaqësuesve të BE-së në Komitetin për Politikë dhe Siguri, që është zhvilluar të martën mbrëma, është diskutuar për situatën në Kosovë dhe aty ka raportuar i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, por edhe përfaqësues të EULEX-it dhe përfaqësues të shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian.
Nga burimeve diplomatike të KOHËS, disa shtete kanë përsëritur thirrjen për zyrtarët e BE-së që të jenë të balancuar në qasjen ndaj Kosovës dhe ndaj Serbisë, dhe se, duke marrë parasysh sulmet terroriste të së dielës, tash është koha që masa të vendosen edhe ndaj Serbisë, nëse vërtetohet se ajo ka lidhje me zhvillimet e së dielës.
Por zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, ka thënë se vendet anëtare po presin që të gjitha rrethanat dhe faktet rreth asaj që ka ndodhur të dielën në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, të verifikohen.
“Tash kemi një ndryshim të rëndësishëm të situatës pas sulmeve terroriste të së dielës në Kosovë. Për ne është e rëndësishme që të zhvillohet dhe të përmbyllet hetimi. Dhe kur ta kemi pasqyrën e qartë dhe të plotë nga hetimet lidhur me atë se çfarë ndodhi, kush qëndron prapa kësaj dhe kush është përgjegjës, atëherë do të marrim vendimet e duhura”, ka thënë Stano.
.
Lexo më shumë këtu
.
.
.