Shqipëria ka kërkuar që Bashkimi Evropian të dalë me një deklaratë të re në lidhje me sulmin terrorist që ndodhi të dielën në pjesën veriore të Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me zëvëndëskryeministrin italian, Antonio Tajani, tha se BE-ja duhet të dalë me një deklaratë të re pas zhvillimeve në Banjskë.

“Shqipëria për herë të parë në 10 vjetët e fundit kundërshton një deklaratë të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e BE-së [më 19 shtator] është një deklaratë që jo se ka problem në vetvete, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga Borrell me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun. Por, ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit. E kemi të pamundur të jemi në një vijë me BE pa parë një deklaratë të dytë, që adreson problematikën e ditëve të fundit. Është vrarë një polic i Republikës së Kosovës nga një grup kriminal, që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës dhe është pasuar me një ditë zi kombëtare në Beograd. Kjo për ne është ë papranueshme, e pajustifikueshme dhe e dënueshme”, tha Rama, trasmeton REL.

Rama iu referua deklaratës së lëshuar më 19 shtator nga Borrell, ku thuhej se blloku evropian kërkon nga Kosova dhe Serbia “pa vonesa” të nisin zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

Kryeministri shqiptar tha po ashtu se kërkuar nga ndërkombëtarët reagim të qartë ndaj Serbisë.

“Kemi kërkuar që Bashkimi Evropian, i gjithë komuniteti euroatlantik të vënë alarmin në nivelin më të lartë, e të përdorin gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur [Serbisë]”, tha ai.

Rama theksoi se deri në momentin që nuk do të ketë një deklaratë të dytë të BE-së për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, “ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë”.

.

.

.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *