Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time politike”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai e ka bërë këtë deklaratë të premten përmes një letre të lexuar në Beograd, nga avokati i tij Goran Petronijeviq, transmeton REL.
Radoiçiq gjithashtu ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiqit, ka thënë se për veprimet e tij, Radoiçiq nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar “ndonjë ndihmë” prej tyre.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPBS) njoftoi të shtunën se Millan Radoiçiq i është përgjigjur thirrjes së saj dhe se ka dhënë deklaratë në cilësinë e qytetarit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.
MPBS-ja shtoi se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd do të njoftohet për deklaratën e Radoiçiqit në formë raporti, e cila më pas “do të ndërmarrë masat dhe veprimet e mëtejshme procedurale nën autoritetin e saj.”
.
.
.