Populli i Izraelit është goditur nga ‘një e keqe e paimagjinueshme’, ka deklaruar të martën Presidenti amerikan Joe Biden.
“Ka momente në jetë … kur një e keqe e paimagjinueshme godet botën. Populli i Izraelit jetoi një moment të tillë këtë fundjavë,” tha Biden duke folur nga Shtëpia e Bardhë.
“Ky është një akt i pastër ligësie,” deklaroi ai, transmeton VOA.
Që nga shpërthimi i luftës, mëngjesin e së shtunës, numri i të vdekurve ka arritur 1,000 në territorin e Izraelit. Ndërsa, nga sulmet izraelite në Gaza deri tani kanë humbur jetën mbi 800 persona.
Presidenti amerikan tha se brutaliteti dhe “etja për gjak” e grupit të kujton “tmerret më të mëdha të ISIS-it”.
“Ky është terrorizëm, por fatkeqësisht për popullin hebre, nuk është diçka e re,” tha zoti Biden.
Në një referencë që dukej se drejtohej ndaj Iranit dhe grupeve të mbështetura nga Irani si Hezbollahu i Libanit, zoti Biden tha se ai kishte një mesazh për çdo vend apo organizatë që mund t’i shkonte ndër mend të përfitonte nga situata – “Mos e bëni!”
Presidenti Biden tha gjithashtu në fjalimin e tij se agjencitë e sigurisë në SHBA po ndërmarrin hapa për të parandaluar çdo kërcënim të mundshëm të brendshëm pas sulmit të fundjavës së grupit islamik palestinez Hamas ndaj Izraelit.
.
.