Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka shprehur qëndrimin ndaj taksës.
“Neve na duhet heqja e plotë e tarifave” ka thënë Borrell në një letër dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Siç njofton Zyra për Komunikim e Kurtit, Borrell në letrën e tij është shprehur i kënaqur me kryeministrin, që, siç ka thënë, “marrëdhënien me BE-në e ka vënë si punë të tijën kryesore”, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ai ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, ndërsa ka thënë se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare “besojnë fuqishëm se rifillimi i bisedimeve është i domosdoshëm dhe urgjent” dhe se “do të kërkojë heqjen e plotë të tarifave”.
“Unë e mirëprita njoftimin tuaj javën e kaluar për tarifat, që paraqet hap të parë të mirë në drejtim të duhur. Neve na duhet heqja e plotë e tarifave. Në këtë kontekst unë pajtohem plotësisht me ju se marrëveshjet e kaluara dhe obligimet e mbetura duhet të zbatohen plotësisht. Serbia, sikur Kosova, duhet t’i përmbushë zotimet për zbatimin e atyre marrëveshjeve”, ka thënë mes tjerash Borrell.