Për shkak të mos raportimit te rregullt të pasurive apo të dhënave të tyre, ndaj disa zyrtarëve të Listës Serbe kanë filluar procedurat hetimore.
Agjencia kundër Korrupsionit ka bërë të ditur se zyrtarët ndaj të cilëve kanë filluar hetimet mbajnë pozita të ndryshme në nivel qendror dhe lokal në institucionet e Kosovës.
Siç transmeton Kallxo.com, procedura është iniciuar kundër kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Sllavko Simiq, shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, deputetëve Zoran Mojsilloviq dhe Verica Ceraniq, ish-deputetit Ivan Todosijeviq, kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq dhe këshilltarit në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Alleksandar Spiriq.
Po ashtu, Agjencia kundër Korrupsionit e Kosovës ka iniciuar hetim kundër Zllatko Miniqit, Miodrag Ralliqit, Verolub Stankoviqit, Millorad Jovanoviqit, Millan Ivanoviqit dhe Sërgjan Nikolliqit.Nga Agjencia thonë se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me mbledhjen dhe analizimin e dokumentacionit përkatës.