Shkruan: Baton Haxhiu (albanianpost.com). Për Kurtin, pra, tani e tutje, duket se e vetmja Kosovë e denjë për respekt dhe krenari është ajo që nuk ekziston më në Kosovë
Albin Kurti ka një mënyrë të veçantë për të bërë rikonfigurimin e diasporës dhe rrëfimin për shqiptarinë dhe atdhedashurinë.
Ai në një takim në Norvegji foli për diasporën si një shpëtimtare të vetme të Kosovës, si për një mbajtëse të vetme të vlerave shqiptare – për ata që janë larg Kosovës.
Për Kurtin shqiptarët e mirë janë ata që kanë ikur dhe nuk janë më këtu.Në një farë mënyre, deklaratat e tij të fundit duket se përçojnë një mesazh të qartë: qytetarët që mbeten në Kosovë janë disi të pavlerë, një përzierje pa tru dhe pa ideal, se kuptojnë atë, ndërsa atdhetarët e vërtetë janë ata që e lënë Kosovën pas, që dërgojnë remitanca dhe që ndërtojnë jetë diku tjetër.
Kurti bën thirrje të veprojë si një lider popullor, por pa popullin e vet. Në vend që të ofrojë një udhërrëfyes për njerëzit që e kanë besuar dhe që ende shpresojnë për përmirësim brenda Kosovës, ai zgjedh të predikojë një dashuri për diasporën që ngjan më shumë me një kritikë të heshtur ndaj atyre që kanë mbetur këtu.
Albin Kurti vazhdon të kërkojë Vëmendje përmes Paqartësisë:Një politikan që shpesh flet me terma të pakuptueshme mund të përdorë këtë teknikë për të krijuar një profil më të dukshëm. Fjalët e përçudnuara, të cilat më shumë tingëllojnë si fraza pa thelb konkret, shpesh përbëjnë një strategji të ndërgjegjshme për të tërhequr vëmendjen.
Shumë herë, kur një deklaratë nuk ka përmbajtje të qartë, e lë publikun në një gjendje konfuzioni, duke shtuar një ironi për faktin se Kurti vetë mund të mos e ketë të qartë atë që ka thënë.
Kjo është injorancë e maskuar si ‘i Dituri i Popullit’.Kurti shpesh përdor një gjuhë populiste që mbështet në ide të ngatërruara, por që tingëllon mirë në nivel emocional për ndjekësit e momentit. Me fjalë të tjera, ai ndoshta ka për qëllim të krijojë iluzionin e njohurive të thella, por përdorimi i kakofonisë së fjalëve shpesh përçojnë një mungesë të të kuptuarit të çështjeve që i thotë.
Aty shfaqet ironia e përhershme, ku miti i Albinit që duhet të jetë zëdhënës i arsyeshëm, “i dituri i popullit”, përfundon duke u bërë shembull i paditurisë.
Si në fjalimin e tij në Norvegji.
Në të njëjtën frymë, ka qenë edhe fraza e tij e njohur për “dy shqiptarë më pak” pas një ngjarjeje tragjike të humbjes së jetës së dy të rinjve mbi urën e pandrequr tash e dy vite mbi liqenin e Badovcit, që me fjalët e tij “ngushëlluese” , ishte si një shpërfillje cinike për dhimbjen e familjeve të prekura.
Këto deklarata tingëllojnë jo vetëm të pavenda dhe të pamenduara, por edhe si një reflektim i një lideri që përdor dhimbjen për të ofenduar të vdekurit e ri si fajtorë sepse ishin të pakujdesshëm.
Ai flet për Serbinë si një fuqi “pro-aziatike,” një gjuhë që nuk bën asgjë tjetër veçse e largon Kosovën nga një gjuhë serioze diplomatike dhe e vendos atë në margjina retorike. Në vend të diplomacisë, zgjidhjes konkrete dhe vëmendjes ndaj problemeve reale, ai ka përqafuar retorikën e sulmeve dhe të përçmimit të brendshëm.
Për të, lideri ideal ndoshta është ai që udhëheq nga larg, në distancë, me fjalë të mëdha e me realitet të vogël.
Ndonëse Kurti në njërin nga fjalimet e tij pretendon se energjia elektrike ka qenë aq e lirë sa njerëzit as nuk dinin sa paguanin! Deklarata e tij tregon një shkëputje totale nga realiteti ekonomik.
Në një vend ku njerëzit luftojnë për të përballuar jetesën e përditshme, ai zgjedh të luajë me të njëjtin popull që e ka votuar.
Çfarë ndjenjash u mbetet qytetarëve të Kosovës kur kuptojnë se lideri i tyre e sheh suksesin vetëm jashtë kufijve?
Për Kurtin, pra, tani e tutje, duket se e vetmja Kosovë e denjë për respekt dhe krenari është ajo që nuk ekziston më në Kosovë.
Në fund, mbetet një pyetje e qartë: A është Albin Kurti një kryeministër i popullit të tij, apo i një ideje të largët, të huaj, të një Kosove që ekziston vetëm në sytë e atyre që kanë ikur dhe shohin prapa me keqardhje?
Deklaratat e tij për diasporën dhe për tingëllojnë si fjalë boshe që, përkundër qëllimit, vetëm sa shtojnë një ndjesi të një vetë-keqardhjeje të maskuar.
Një lider i popullit? Jo, ndoshta vetëm një lider i fjalëve të ngatërruara dhe idiote.
Albin Kurti mbetet një figurë kontradiktore që ka krijuar një mori mitesh rreth vetes dhe liderit që pretendon të jetë.
Një nga mitet kryesore është ai i “liderit të thjeshtë dhe të afërt me popullin”.Ky mit ra në diasporë.
Në deklaratat e tij, Kurti duket të jetë shumë më i lidhur me diasporën se sa me ata që jetojnë brenda kufijve të Kosovës.
Ai i ngre në piedestal shqiptarët që kanë ikur, duke lënë pas një imazh të zymtë për ata që qëndrojnë në Kosovë.
Në vend që të udhëheqë me një model që i përfshin të gjithë, ai duket se ndan popullin e tij në dysh: Ata që janë “shqiptarë të vërtetë” jashtë dhe ata që nuk arrijnë të kuptojnë vizionin e tij brenda vendit.
Një tjetër mit që përmendi në fjalimet e tij në diasporë është ai i “liderit që flet për të vërtetën” dhe që “mbron interesin kombëtar”.Megjithatë, retorika e tij për është një lloj gjuhë që e ul nivelin e debatit dhe e largon nga rrugët diplomatike serioze.
Kjo qasje përbën një tjetër mit: Pretendimi se Kurti po udhëheq një kurs të ri, kur në të vërtetë, ai thjesht zgjedh retorikën e konfrontimit, shpeshherë pa rezultat.
A është ky një udhëheqës i përkushtuar për ndonjë ndryshim real, apo thjesht një figurë që kërkon të duket radikal për hir të imazhit?Gjithashtu, Kurti pretendon me gënjeshtra në fjalimet e tij në diasporë, se është “lideri i reformës” që do t’i japë fund problemeve të trashëguara.
Por faktet tregojnë të kundërtën.Ekzistojnë përpjekje për të drejtuar Kosovën drejt një të ardhmeje më të mirë, por mungesa e zgjidhjeve konkrete për çështje themelore – si ekonomia, energjia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare – e bëjnë të duket më shumë si një gënjeshtar i izoluar sesa një reformator i vendosur.
Kur fliste për çmimet e energjisë dhe bënte deklarata cinike, duke thënë se njerëzit “as nuk dinin sa paguanin”, tregonte se sa larg është nga realiteti i përditshëm i qytetarëve të Kosovës.
Një tjetër mit po bie në Kosovë, është ai i “kryeministrit që udhëheq për popullin e tij”.
Lavdërimet për diasporën dhe injorimi i vuajtjeve të përditshme të qytetarëve të Kosovës krijojnë një ndjenjë se ai është më shumë “kryeministri i popullit të diasporës” sesa i qytetarëve të Kosovës që qëndrojnë dhe luftojnë për vendin brenda kufijve.
Përveç rënies politike që ka ndodh prej kohësh, Albin Kurti po përjeton edhe fundin e pashembullt të rënies morale.Ky është edhe fundi i tij si politikan.