Aktori i njohur amerikan, Alec Baldwin, do të përballet me akuzën për vrasje nga pakujdesia.
Të enjten, Prokurorja e qarkut të Santa Fe në Shtetet e Bashkuara, Mary Carmack-Altwies, lëshoi një deklaratë duke njoftuar akuzat kundër zotit Baldwin dhe Hannah Gutierrez Reed, e cila ishte ngarkuar me detyrën për të mbikëqyrur armët e zjarrit që do të përdoreshin në filmin Rust.
Prokurorja Carmack-Altwies tha se akuzat do të ngrihen rreth fundit të janarit dhe se për zotin Baldwin dhe zonjën Gutierrez Reed do të lëshohet një thirrje për t’u paraqitur në gjykatë, transmeton VOA.
Prokurorët thanë se rasti ishte tregues i mospërfilljes së rregullave të sigurisë.
Halyna Hutchins vdiq pak pasi u qëllua me armë, gjatë xhirimeve të filmit, në një fermë në periferi të Santa Fesë më 21 tetor 2021. Gjatë incidentit u plagos edhe regjisori Joel Souza.
Vrasje nga pakujdesia konsiderohet ajo vrasje që ndodh ndërsa i pandehuri bën diçka të rrezikshme që konsiderohet e ligjshme, por duke vepruar me neglizhencë ose pa patur fare kujdes.
Ky krim dënohet deri në 18 muaj burg dhe me 5000 dollarë gjobë sipas ligjit të Nju Meksikos. Por ligji parashikon gjithashtu dhe një dispozitë që mund të rezultojë në dënimin e detyrueshëm me pesë vjet burg, për shkak se vepra penale, është kryer me armë zjarri.