Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, kërkon nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të arritur në vitin 2023.

Ai thekson nevojën që Qeveria e Kosovës të ecë përpara edhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, ekzekutivi kosovar duhet të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, draft-statutin e Asociacionit, të hartuar nga Bashkimi Evropian.

Westerlund në një intervistë për KosovaPress, shpreh edhe mbështetjen për rrugën euro-integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Ai flet edhe për situatën në veri të Kosovës dhe hapjen e urës së Ibrit.

Diplomati suedez thotë se marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht të detyrueshme për Kosovën dhe Serbinë, andaj obligimet duhet të zbatohen pa vonesa.

“Epo, linja zyrtare e BE-së për momentin është sigurisht që marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit janë ligjërisht të detyrueshme dhe ato duhet të zbatohen sa më shpejt që të jetë e mundur, edhe AKS-ja duhet të zbatohet sa më shpejt. Dhe hapi tjetër është se Bashkimi Evropian po i rekomandon Qeverisë së Kosovës që draft statusin e AKS-së, t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese këtu në Kosovë. Pastaj përsëri, ne kemi komisionerë të rinj që vijnë, në Bruksel, ne kemi një ekip të ri në Bruksel, ata duhet të hedhin një vështrim në këtë situatë aktuale dhe të shohin nëse mund të vijnë me ide të reja për të gjetur një zgjidhje”, deklaron ai.

Westerlund për KosovaPress, jep edhe modele të shumta për mënyrën sesi të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“E pra, dua të them, linja zyrtare e Bashkimit Evropian për këtë është se ka një detyrim për Qeverinë e Kosovës, e gjitha në vitin 2013, por edhe në marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit të vitit të kaluar që duhet ta themelojnë këtë. Dhe mendoj se do të ishte gjithashtu një gjë e mirë që Kosova ta bënte këtë…Modele ka plot. Mendoj se z. Miroslav Lajçak ka përmendur se janë mbi 40 minoritete dhe 40 lloj organizimesh në Evropë, një mund të jetë.

Unë kam qenë vetë pjesë e krijimit të një strukture të ngjashme në Kroaci në vitet 1990, nuk mund të krahasosh kurrë një konflikt me një konflikt tjetër, kështu që asgjë nuk është vërtet e ngjashme në këtë kuptim. Por në të kaluarën në Kroaci, në vitet 1990, unë isha pjesë e krijimit të Këshillit Kombëtar Serb dhe kjo duket se ka funksionuar mjaft mirë në Kroaci, dhe kjo u dakordua edhe nga Beogradi.

Ka shumë shembuj në Evropë që mund të kopjohen. Unë nuk mendoj se shembulli i ‘republika serpska’, është domosdoshmërish 100 përqind i saktë, sepse kjo është një situatë tjetër dhe ju keni një popullsi shumë më të vogël të serbëve të Kosovës nëse krahasoheni me serbët që jetojnë në Bosnje”, thekson Westerlund.(Telegraf)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *