Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar nga politikanët serbë në Kosovë që t’u shpjegojnë qytetarëve serbë se duhet ta pranojnë realitetin në lidhje me ndërrimin e targave të veturave.

“Do të doja të shihja përfaqësuesit serbë në Kosovë duke kontribuar konstruktivisht në depërshkallëzim. Për shembull, t’u shpjegojnë qytetarëve serbë realitetin se në Kosovë duhet t’i përdorin targat e Kosovës”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Ambasadori gjerman i bëri këto komente në ditën kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit që përmban tri faza, për riregjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia dhe konvertimin e tyre në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Ambasadori Rohde gjithashtu shkroi në rrjetet sociale se Kosova ka të drejtë të largoj targat KM dhe të tjerat dhe se kjo është në një linjë me marrëveshjet në Bruksel. Por, ai theksoi se është dashur të përcillet këshilla që të pranohet një periudhë shtyrjeje prej 12 muajve nga Qeveria e Kosovës për vendimin përfundimar rreth targave të veturave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *