Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të jenë më energjike në luftimin e korrupsionit.
“Jeni në një çast kritik të historisë suaj, duhet të vendosni se në ç’rrugë do të shkoni, do të ecni përpara apo do të shkoni pas. Kush do ta zotërojë vendin, krimi i organizuar dhe vetëm oligarkët, apo njerëzit normal të Shqipërisë”, ka deklaruar Kim të hënën.
Ambasadorja amerikane u shpreh kështu gjatë mbajtjes sw në një konferencë kombëtare kundër korrupsionin, organizuar nga qeveria shqiptare.
Ajo tha se korrupsioni është çështje e sigurisë kombëtare për SHBA-të, sepse ne duam që aleatët tanë, që Shqipëria të jetë e fortë, e pavarur, e pasur, një partner i plotë.
“Ne duam që Shqipëria të jetë përherë e më shumë një partner dhe jo një problem, por ky problem, nuk zgjidhet pa ju, dhe këtë luftë duhet ta bëni ju. Ne do të jemi me ju në çdo hap kësaj rruge”, tha ambasadorja Kim, transmeton VOA.
Ajo theksoi se 3 dekada më parë Shqipëria fitoi lirinë nga diktatura komuniste dhe korrupsioni i atij regjimi, ndërsa sot është koha që në formë të përhershme ligji të bëhet i zbatueshëm në mënyrë të barabartë për të gjithë.
“Ky vend ka energji të madhe për të arritur shumë më tepër, por e bllokon korrupsioni. Kësaj duhet t’i jepet fund. SHBA dhe Shqipëria duhet të bashkojnë forcat në këtë çast historik për të thënë mjaft më me korrupsionin, se duhet të mbrojmë demokracinë” – tha ambasadorja Kim.