Shumica e amerikanëve duhet të marrin vaksinën më të fundit ndaj COVID-it, njoftuan të martën zyrtarët e shëndetësisë.

Komisioni këshillimor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) miratoi vaksinat e reja për personat e moshës nga 6 muaj e lart, dhe ky sugjerim u mbështet menjëherë nga drejtorja e këtij institucioni.

Ashpërsia e pandemisë COVID-19 ka rënë, por ka ende mijëra raste shtrimesh në spitale dhe qindra vdekje çdo javë në Shtetet e Bashkuara. Shtrimet në spital janë shtuar që nga fundi i verës, megjithëse duket se shifrat kanë tendencën të bien, në veçanti në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara.

Ekspertët megjithatë shqetësohen se imuniteti nga vaksinimet dhe infektimet e mëparshme mund të jetë duke u zbehur tek shumë persona, dhe mendojnë se një vaksinë e re do të shpëtonte shumë jetë.

Sipas një anketimi të cituar nga CDC-ja muajin e kaluar, rreth 42% të të pyeturve thanë se do ta bënin një vaksinë të re. Megjithatë, vetëm 20% e personave në moshë madhore morën një dozë të përditësuar të vaksinës, kur ajo u ofrua vitin e kaluar.

Doktorët shpresojnë që të vaksinohen mjaftueshëm njerëz për të ndihmuar në shmangien e një epidemie të trefishtë, siç ndodhi vitin e kaluar, kur u mbingarkuan spitalet me një sezon të hershëm gripi, me një valë të sindromës të rrugëve të frymëmarrjes, dhe një tjetër valë dimërore të koronavirusit.

Vaksinat e miratuara janë të kompanive Pfizer dhe Moderna. Sipas Administratës për Barnat dhe Ushqimet (FDA) duke filluar nga mosha 5 vjeç, shumica e njerëzve mund të marrin një dozë të vetme edhe nëse nuk kanë bërë më parë vaksinën kundër COVID-19. Fëmijët më të vegjël mund të kenë nevojë për doza të mëtejshme, në varësi të historikut të tyre të vaksinimit dhe infektimeve. / VOA /

.

.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *