Në një aksion të Inspektoratit Policor të Kosovës, të hënën u arrestuan 48 policë dhe dy zyrtarë doganorë.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “marrja e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, transmeton REL.

Kryeshefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Kushtrim Hodaj, tha se të arrestuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në qindra aktivitete të marrjes së ryshfetit në pikat kufitare të Qafë Prushit dhe Qafë Morinës, që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë.

“Nga hetimet, dyshohet se të arrestuarit janë të përfshirë qindra herë apo në mbi 400 veprimtari kriminale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtar”, tha Hodaj gjatë një konference për media pas përfundimit të aksionit të koduar “Pika”, që u nisi mëngjesin e 14 marsit në Gjakovë dhe Prizren.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se prej majit të vitit të kaluar kanë filluar hetimet për këtë rast, pasi kanë marrë informacionet e para për dyshimet për përfshirjen e policëve dhe doganierëve në veprimtari kriminale.

Ai tha se hetimet janë zhvilluar ndaj 68 personave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *