Qytetari M.D. nga Babimoci (Babin Most) ndalohet për 48 orë për sulm ndaj KFOR-it si pjesëmarrës në protestat e dhunshme në veri në maj 2023 kur mbetën të lënduar 93 pjesëtar të forcave paqeruajtëse.

Arrestimin dhe ndalimin 48 orësh e ka konfirmuar avokati i tij mbrojtës Nebojsha Dançetoviq për kossev.info, platformën mediale në Mitrovicën e Veriut.

Njoftimi për ndalimin e tij për 48-orë u dha edhe nga Prokuroria Speciale.

“Prokuroria Speciale informon se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda, sot në regjionin e Mitrovicës, ka arrestuar një person M.D, me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese” nga neni 127 par.2 lidhur me nenin 114 par.2 të KRPK-së; “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare” nga neni 167 par.5 lidhur me nenin 31; “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 par.2 lidhur me nenin 31 dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402 par.4 lidhur me nenin 31 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, shkruan në kumtesë.

“I njëjti me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtit do të vazhdohet me veprimet e nevojshme hetimore” raporton klankosova.tv duke u bazuar në aktvendimin e Prokurorisë Speciale.

Protestat e organizuara nga grupet ekstremiste serbe në maj të 2023 në Zveqan kishin qenë ndër më të dhunshmet duke përfunduar me lendimin e 93 ushtarëve të KFOR-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *