Agresioni rus ndaj Ukrainës ofron një pamje të “një bote të mundshme tiranie dhe trazirash”, tha të shtunën Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin në një fjalim gjatë një forumi sigurie në Kanada.

Komentet e zotit Austin ishin ndër më të fortat deri më sot mbi nevojën e ndihmës nga komuniteti ndërkombëtar që Kievi të fitojë pas gati nëntë muajsh lufte. Ai foli në një moment që mund të shënojë një pikë kthese në konflikt.

Sekretari Austin tha se Rusia po shkel ligjet e luftës.

“Këto nuk janë thjesht gabime. Këto nuk janë përjashtime nga rregulli. Këto janë mizori,” tha ai, transmeton VOA.

“Breshëria e raketave ruse ka lënë ukrainas të pafajshëm pa ngrohje, ujë dhe energji elektrike. Ne kemi parë shkolla të sulmuara. Fëmijë të vrarë. Spitale të bombarduara. Qendrat e historisë dhe kulturës ukrainase janë kthyer në gërmadha”, u shpreh zoti Austin.

Zoti Austin tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen pjesëmarrës në “luftën e zgjedhur” nga presidenti rus Vladimir Putin, por paralajmëroi për rreziqet e përhapjes bërthamore globale nëse Moska fiton.

Vetëm ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuata Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping zhvilluan bisedime të hënën, zoti Austin tha se Pekini, ashtu si Moska, synon “një botë ku forca vendos.”

Sekretari i Mbrojtjes tha se avionët kinezë po fluturonin afër Tajvanit në numër rekord pothuajse çdo ditë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *